Bandat dhe mafia shqiptare vazhdojnë të zënë titujt e para të mediave britanike.
Kështu, tabloidi Daily Mail shkruan se “gangsterët shqiptarë të armatosur kanë kapur kontrollin e tregut të drogës në Britani dhe po mbushin burgjet aq shpejt sa qeveria po dërgon disa prej tyre në shtëpi”.
Bandat nga shteti ballkanik tani ‘ushtrojnë kontroll të konsiderueshëm’ mbi furnizimin me kokainë, shkruan gazeta e cila i referohet edhe një raporti të Kombeve të Bashkuara, me kriminelë të dhunshëm që importojnë drogën nga homologët e tyre në kontinentin e Evropës përmes porteve në Anglinë juglindore.
Një gjykatës paralajmëroi se fermat e kanabisit që drejtoheshin nga rrjetet kriminale shqiptare kishin arritur ‘nivele epidemike’ dhe, sipas gjykimit të tij, ‘bëheshin diçka si industri’.
“Të ndihmuar nga aleancat me kartelet e drogës të Amerikës së Jugut, këta gangsterë brutalë po e përforcojnë kontrollin e tyre duke përdorur një kombinim të frikës dhe dhunës vdekjeprurëse – ndërkohë që marrin pjesë në mediat sociale për të ndarë foto të neveritshme të drogës, armëve dhe parave të gatshme”, vijon shkrimi i Daily Mail.
Së fundmi doli se 80 emigrantë shqiptarë janë dënuar me gjithsej 130 vite burg gjatë katër muajve të parë të vitit. Krimet e tyre përfshinin vrasje, përdhunim, shkelje me armë zjarri dhe rrëmbim.
Shkalla e valës së krimit po ushtron presion mbi burgjet tashmë të shpërthyera në Mbretërinë e Bashkuar, me Qeverinë e detyruar të bëjë marrëveshje me Tiranën për të lejuar deportimin e kriminelëve përpara përfundimit të dënimit.
Megjithatë, disa të rinj shqiptarë po futen fshehurazi në Britaninë e Madhe dhe po bashkohen me bandat e drogës me qëllim që të dërgohen në burg, në mënyrë që të mund të pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne dhe të fitojnë azil, zbuloi së fundmi MailOnline.