Notari i SK Tirana, Greisi Koxhaku, është “Notari i vitit 2023”. Në çdo garë ai thyeu rekorde kombëtare, por edhe përmirësoi disa kohë, të cilat kishin vite që “flinin” pa u prekur. Edhe pse në moshë të re, ai garon dhe thyen edhe rekordet për moshën e të Rriturve. “Misioni im është që në çdo garë të jap më të mirën time, dhe kur thyej rekord apo përmirësoj kohë në gara të veçanta. Si çdo vit, edhe në këtë që po mbyllim, u përgatita intesivisht për ta mbajtur formën time në nivelin më të mirë, por edhe për të shënuar kohë e rekorde të reja. Natyrisht që falenderimi i parë për këtë vit vjen për SK Tirana e trajnerin Arjan Fetishaj, FSHN-në dhe gjithë notarët me të cilët kemi “debatuar” në pishina. Viti 2024 besoj se do të jetë edhe më i pasur në çdo aspekt të garave që unë do të zhvilloj”.
21 Rekorde
Notari i Tiranës, Greisi Koxhaku, garat e vitit 2023 i ktheu në vit të thyerjes së rekordeve kombëtare. Gjatë vitit 2023, ai ka thyer 21 rekorde kombëtare për të Rinj e të Rritur, si në pishinën 50m, ashtu edhe në pishinën 25m. Greisi garoi në: 50m Flutur; 100 Flutur; 50 Shpinë; 100 Shpinë; 50 stil i lirë; 100 stil i lirë;
100m katërnotim; në dy stafeta me kombëtaren. Në këto gara, të gjitha rekordet kombëtare ai i ka thyer brenda vitit 2023, madje disa herë edhe rekordet e tij.