Armando Broja ka realizuar gol me Chelsean, në ndeshjen e FA Cup, ndaj Preston. Sulmuesi shqiptar shënoi në minutën e 58-të, pas një asisti të Gusto-s, duke ngritur në këmbë tifozërinë. Lojtari kuqezi kaloi një periudhë të vështirë, për shkak të një dëmtimi që e mbajti gjatë jashtë fushës së blertë.
Ky gol është një mesazh për trajnerin Pochettino, i cili mund të ndryshojë mendje për ta mbajtur atë, edhe pas merkatos së janarit. 22-vjeçari kërkon që të luajë sa më shumë minuta në këtë periudhë, për të qenë në formë për Europianin, që do të mbahet në verë, në Gjermani.