SYRI TV ka zbardhur se deri më ora 18.00 të datës 11 janar 2024, deputetët e parlamentit italian kanë afat të prezantojnë në format dixhital, propozimet amenduese mbi draft-ligjin “Ratifikimi e ekzekutimi i protokollit mes Qeverisë së Republikës Italiane e Këshillit të Minsitrave të Republikës së Shqipërisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e emigracionit firmosur më 6 nëntor 2023 në Romë si dhe normat e koordinimit të sistemit të brendshëm ligjor.”
Prej orës 17.15 të ditës së sotme, 8 janar 2024 e deri më ora 18.00 të datës 11 janar Komisioni i Çështjeve të Jashtme e Çështjeve Komunitare në parlamentin italian, nis një maratonë dëgjesash informale me ekspertët më të mirë të problematikave të së drejtave kushtetuese e humanitare mbi emigracionin, njoftoi gazetarja Alba Kepi nga Italia.
SYRI TV ka mësuar se në dëgjesat informale me komisionin parlamentar është ftuar të flas në lidhje videokonferencë dhe shqiptarja Lea Ypi, profesoreshë e Teorisë Politike në departamentin e qeverisë pranë Shkollës së Ekonomisë në Londër.
Në kalendarin e këtij komisioni, pasditen e sotme parashikohen dëgjesat me katër profesorë universitarë të Universiteteve King’s College Londër, Universiteti Tuscia, Universitit Roma Tre e Universiteti i Firenzes, dhe me Ambasadorin italian në Tiranë Fabrizio Bucci.
Ditën e dytë të dëgjesave, datë 9 janar 2024, do të referojnë 6 profesorë të tjerë universitarë mes të cilëve dhe shqiptarja Lea Ypi si dhe përfaqësues të organizatës joqeveritare Mediterranea Saving Humans, përfaqësues të Amnesty International, përfaqësues të Organizatës Botërore të Emigrantëve dhe përfaqësues të shoqatës kombëtare italiane Juristët Demokratë.
Komisioni i Çështjeve të Jashtme do të mbyll dëgjesat më ora 18.00 të datës 11 janar me afatin e fundit kohor të dorëzimit të propozimeve amenduese mbi këtë draft ligj.
Nuk është parashikuar hedhja në votë e tij brenda Komisionit të Çështjeve të Jashtme.
Pas analizës në Komision, draft ligji do të merret në diskutim nga Dhoma e Deputetëve e do t’i nënshtrohet votës së parlamentarëve.
© SYRI.net