Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán mund të marrë drejtimin e Këshillit Evropian në korrik, nëse liderët e BE-së nuk arrijnë të gjejnë me shpejtësi një pasardhës të presidentit aktual.
Charles Michel njoftoi papritur të shtunën se ai do të ishte kandidati kryesor për partinë e tij liberale belge, Lëvizja Reformiste, në zgjedhjet evropiane që mbahen më 6-9 qershor.
Kjo do të thotë se Michel, i cili ka kryesuar Këshillin Evropian që nga viti 2019, ka shumë të ngjarë të zgjidhet si anëtar i Parlamentit Evropian (PE) dhe të largohet si shef i Këshillit pas zgjedhjeve.
27 krerët e qeverive të BE-së tani kanë më pak se gjashtë muaj për të emëruar pasardhësin e tij. Roli i Presidentit përfshin kryesimin e takimeve të Këshillit Evropian dhe ndërmjetësimin e marrëveshjeve ndërmjet shteteve anëtare, duke përfshirë vendimet e ndjeshme të buxhetit dhe politikës së jashtme.
Sipas traktateve të BE-së, në mungesë të një presidenti, vendi që mban presidencën e radhës gjashtëmujore të Këshillit merr përgjegjësinë e përkohshme. Kjo do të thotë se pa një pasardhës, kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán do të merrte kontrollin e Këshillit kur vendi i tij të marrë presidencën e radhës më 1 korrik.
Mundësia e marrjes së presidencës nga Orban në gjysmën e dytë të vitit ka trembur Brukselin, pasi ky i fundit u pa përkrahë presidentit rus Vladimir Putin në Samitin e Pekinit.
Paketa e propozuar e BE-së prej 50 miliardë eurosh në mbështetje të Ukrainës aktualisht është duke u penguar nga Hungaria pasi Orbán vuri veton ndaj miratimit të saj gjatë një samiti të KE në dhjetor.