Dy komitete të Dhomës së Përfaqësuesve, të mbizotëruara nga republikanët, njoftuan të enjten se djali i presidentit demokrat Joe Biden, biznesmeni Hunter Biden, do të dëshmojë në fund të shkurtit sa i takon transaksioneve të kryera jashtë shtetit, nëse janë të ligjshme apo jo.
53-vjeçari, kohët e fundit i përkushtuar ndaj pikturës, po përballet me dy ndjekje penale federale dhe ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes së Republikanëve, aq më tepër kur afrohen zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në të cilat babai i tij do të kërkojë një mandat të dytë.
Hunter Biden do të paraqitet për të dëshmuar më 28 shkurt përpara Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, që të dy janë shumicë republikane, thanë kryetarët e tyre në një deklaratë të përbashkët, raportojnë mediat e huaja.
Dëshmia e Hunter Biden do të pasohet nga ato të anëtarëve të familjes Biden dhe njerëzve përreth tij”, tha Jim Jordan dhe James Comer.
Ata nuk e bënë të qartë nëse seanca do të jetë publike apo me dyer të mbyllura.
Kjo është një çështje për të cilën të dyja palët nuk janë dakord. Javën e kaluar, dy komitetet rekomanduan që ai të shpallej fajtor për pengimin e një hetimi të Kongresit, sepse djali i Biden refuzoi të paraqitej në një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura. Ai kërkoi që seanca të jetë publike.
Ndaj tij rëndon akuza për evazion fiskal dhe posedim të paligjshëm të armëve, ndërkohë që Hunter Biden është deklaruar i pafajshëm.