Hakmarrja shërbehet e freskët, Atletico hakmerret shpejt ndaj Realit, duke i eliminuar nga Kupa e Mbretit që në fazën e 1/8. Derbi i Madridit rezultoi një sfidë fantastike, 6 gola të shënuar, shtesë, raste për shënim, një sfidë e çmendur. Bellingham bëri provat i pari duke goditur shtyllën, por në minutën e 39-të ishte Atletico që kaloi në avantazh me Lino-n. Në fundin e pjesës së parë, një dalje e gabuar e Oblak bëri që ky i fundit të dërgonte topin në rrjetë duke rikthyer baraspeshën.
Me fillimin e pjesës së dytë, Atletico gjeti shpejt rrugën e rrjetës ku një keq koordinim në mbrojtjen e Realit i dhuroi Morata-s golin e dytë. Në minutën e 80-të, Ancelotti hodhi në fushë Joselu, ishte pikërisht sulmuesi spanjoll që pas vetëm dy minutash, i vetëm në zonë dërgoi topin në rrjetë dhe ndeshjen në shtesë. Në shtesë, Atletico mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 100-të, Griezmann me një aksion të bukur personal tundi rrjetën duke kaluar sërish madrilenët e vegjël në avantazh. Për të mbyllur llogaritë me Realin mendoi Riquelme që në fundin e shtesës realizoi edhe golin e katërt duke i dhuruar Atletico-s një biletë për më tej në Kupën e Mbretit.
“Një Atletico gjigande”, shkruan Marca në faqen e parë. “Askush nuk e meritonte ta humbiste këtë ndeshje, humbëm ne, por duhet të shohim përpara. Ne dhamë gjithçka, nuk kam asgjë për t’i thënë lojtarëve. Tani është koha të rikuperojmë, të shohim përpara dhe të mendojmë për La Liga-n”, u shpreh Ancelotti pas ndeshjes.