Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe Grupi i Gjelbër në Kuvendin e Shqipërisë, zhvilluan sot një mbledhje të përbashkët, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek, i cili prezantoi raportin vjetor 2023 të sekretariatit, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.
Matej Zakonjsek tha se aktualisht në Shqipëri është implementuar 40% e legjislacionit të BE ndërsa vuri theksin te progresi që po bëhet në rrjetin hekurudhor.
“Aktualisht 40% e legjislacionit të BE është e transpozuar, 16% është pjesërisht dhe 71% është ende në proces. Shikojmë që kemi progres në rrjetin hekurudhor me punët që janë duke u vazhduar sidomos në Tiranë-Durrës. Projekti i dytë Vorë-Hani i Hotit, 125 km, tenderi do lancohet në muajt që vijnë, dhe i fundit është Durrës-Rrogozhinë. Kur këto projekte do plotësohen në vitin 2030 Shqipëria do të ketë një rrjet hekurudhor shumë të mirë, i gjithë i rinovuar, dhe këtu mirëmbajtja do jetë elementi kyç”.- tha Matej Zakonjsek.
Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi, u shpreh se Shqipëria si anëtare do të vijojë të bashkëpunojë dhe forcojë raportin me Sekretariatin e Komunitetit të Transportit, entitet i cili përbëhet nga 33 vende anëtare, 27 vende të Bashkimit Europian dhe 6 vende të Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu Arben Pëllumbi foli për rëndësinë, arritjet dhe sfidat që kemi në lidhje me transportin në vendin tonë, si dhe detyrat e parlamentarëve në lidhje me këtë proces.