Në Bruksel do të mbahet sot takimi mes Kosovës dhe Serbisë për heqjen e dinarit serb. Takimi ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian dhe i pranishëm do të jetë edhe ndërmjetësi i BE-së Miroslav Lajçak në Bruksel.
Kosova do të përfaqësohet në këtë takim nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nuk do të shkojë në këtë takim duke deklaruar se “çështja e dinarit s’është pjesë e dialogut”. Nga ana tjetër Serbia do të përfaqësohet nga kryenegociatori për dialog me Kosovën, Petar Petkoviç.
Takimet në Bruksel nisin në mëngjes dhe Lajçak fillimisht do të takohet me delegacionin e Serbisë, pastaj me atë të Kosovës. Sipas praktikës nga e kaluara, pas takimeve të ndara që Lajçak do të zhvillojë me palët do të zhvillohen edhe takime trepalëshe.
Që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja re e Bankës Qendrore për Kosovën, ku pagesat kryhen vetëm me euro dhe dinari serb është hequr. Bashkimi Evropian po kërkon që çështja e ndalimit të dinarit serb të zgjidhet përmes dialogut.
Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, po kërkojnë që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, pasi ka argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.