Sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Arbi Agalliu në një deklaratë për mediat shprehu gatishmërinë e Partisë Demokratike për të votuar projektligjin për aministinë penale në variantin e parë.
‘Ndodhem sot këtu, për të bërë me dije qëndrimin e Partisë Demokratike lidhur me amnistinë penale. Partia Demokratike është e gatshme në çfarëdo lloj kohe të votojë projektligjin për amnistinë penale në variantin e parë të sjell nga qeveria dhe Ministria e Drejtësisë në komisionin e ligjeve në Kuvend. Një variant i cili nuk përfshin të gjithë ata individit që janë nën gjykim nga SPAK, apo janë dënuar nga GJKKO.’, thotë Agalliu.
Nga ana tjetër, Agalliu thotë se duhet bashkangjitur këtij projektligji edhe amendamenti i PD-së për të amnistuar të gjithë protestuesit.
‘Po kështu projektligjit duhet t’i bashkëngjitet edhe amendamenti i Partisë Demokratike për të amnistuar të gjithë protestuesit. Qofshin këta protestues të thirrur nga PD apo partitë aleate, apo parti të tjera politike, apo nga shoqëria civile. Kjo bëhet për arsyen e parë dhe bazike për mbështetjen e drejtësisë dhe së dyti për të amnistuar të gjithë atë kategori protestuesish të cilët kanë protestuar për një kauzë të caktuar.’, shton deputeti.
Agalliu nënvizon edhe një herë se PD është e gatshme ta votojë amnistinë në në çdo moment.
‘Ndaj dhe njëherë ju bëj me dije qëndrimin tonë për të votuar amnistinë penale në çfarëdolloj kohe dhe momenti duke i qëndruar këtyre parimeve.’, përfundon ai.