Pavarësisht zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat në Manastirin e Deçanit, në Kosovë ka frikë se do të dalin kushte të reja për anëtarësim në Këshill të Evropës. Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se presin që progresi për anëtarësim në Këshill të Evropës, të realizohet në 2-3 muajt e ardhshëm, mirëpo përmendin mundësitë që të dalin kushte të reja, sikurse ka ndodhur edhe të kaluarën me liberalizimin e vizave, gjë të cilën e potencoi edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, ku përmendi Asociacionin dhe ndaljen e shpronësimeve në veri, si kushte të reja për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Në anën tjetër, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, do të varet nga lobimi i qeverisë.Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress, se është shumë e rëndësishme që progresi për anëtarësim në Këshill të Evropës të arrihet në muajin prill dhe maj, kur mbahen mbledhja e Asamblesë Parlamentare dhe Komitetit të Ministrave. Në të kundërtën, sipas saj, do të kishte shtyrje deri në vitin 2025.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili është pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, thotë se kanë punuar aktivisht në këtë institucion për t’ia dhënë dritën e gjelbër anëtarësimit të Kosovës. Megjithatë, shton se deri tani nuk dihet nëse Kosova do të futet në agjendë në mbledhjen e radhës të Asamblesë Parlamentarë të KiE-së në muajin prill. Përkundër optimizmit për anëtarësim në KiE, Kusari-Lila përmend disa prej proceseve të tjera të Kosovës në rrugën euro-integruese, ku janë vënë kushte të reja.Emisari amerikan, Gabriel Escobar, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë e ka mirëpritur zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit, mirëpo theksoi se themelimi i Asociacionit dhe shpronësimet në veri, janë dy kushte të tjera për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.
Në fund të vitit të kaluar juristët eminent të Këshillit të Evropës, kanë hartuar një raport vlerësues për Kosovën, të cilin raportuesja Dora Bakoyannis, do ta paraqes në mbledhjen për çështje politike të Asamblesë më 27 mars, ku përmban edhe një draft-opinion. Kosova ka aplikuar për Këshill të Evropës në maj të vitit 2022.