Luis Enrique, trajneri i PSG, rikthehet të flasë për Kylian Mbappe, por dhe për mundësinë e një rikthimi të tij në krye të Barcelonës:
“Nuk di asgjë për Mbappe, vetëm ai e di se çfarë do të bëjë. A do të rikthehem një ditë te Barcelona? Sot për sot jam i përfshirë totalisht te PSG, vijoj të mësoj frëngjisht, shpresoj që shpejt ta flas. Kam pasur kontakte me dy klube angleze përpara se të vija te PSG, zgjodha të transferohem në Paris. Pastaj, sa për Barcelonën, nuk është një sekret, unë e kam thënë gjithnjë që një ditë do të më pëlqente të rikthehesha. Është shumë e vështirë në fakt që rrugët tona të bashkohen sërish”, u shpreh Luis Enrique.
Në Spanjë kanë bërë shumë zhurmë, jo vetëm fjalët e Luis Enriques, por dhe deklarata e Laporta-s, presidentit të Barcelonës, i cili shpreh dëshirën e tij që Xavi të vijojë të drejtojë ekipin: “Nuk është një fantazi, do të më pëlqente që Xavi të vazhdonte me ne. Transferimi i Mbappe te Real Madrid, a jam xheloz? Jo, absolutisht jo. Pikësëpari nuk e dimë ende nëse do të transferohet apo jo. Nëse i referohemi numrave të këtij transferimi, e sigurt është që Mbappe do të trondit dhomat e zhveshjes”, u shpreh ndër të tjera Laporta.