Gjatë natës, ushtria izraelite tërhoqi të gjitha trupat tokësore nga Rripi Jugor i Gazës, pas gjashtë muajsh luftimesh radhazi në zonën Khan Younis. Gjatë luftimeve pati një shkatërrim të gjerë, me palestinezë të zhvendosur në një shkallë të madhe, ndërsa një numër i madh civilësh u vranë.
Një inkursion i mundshëm izraelit në qytetin më jugor të Rafahut ka qenë në pritje për javë të tëra.
Më shumë se një milion palestinezë janë strehuar atje. Për momentin është e paqartë nëse kjo lëvizje e ushtrisë izraelite jep ndonjë tregues të ri se çfarë mund të ndodhë atje.
Ndërkohë ministri izraelit i Mbrojtjes tha se ‘sistemi i mbrojtjes ka përfunduar përgatitjet për një përgjigje kundër çdo skenari që mund të zhvillohet me Iranin”.
Sakaq Shtetet e Bashkuara presin një sulm të rëndësishëm nga Irani brenda javës së ardhshme, duke synuar Izraelin ose asetet amerikane në rajon, si përgjigje ndaj sulmit izraelit në Damask që vrau zyrtarë të lartë iranianë.
Burime të administratës amerikane e raportuan këtë për CNN. Uashingtoni beson se një sulm nga Irani është “i pashmangshëm”, një pikëpamje që ndanë edhe Izraeli.
Goditja e drejtpërdrejtë e Izraelit do të ishte një nga skenarët më të keq që administrata e Biden po shqyrton, sepse mund të çojë në një përshkallëzim të shpejtë të tensioneve në Lindjen e Mesme. Rreziku është ai i një zgjerimi të konfliktit me Hamasin që presidenti amerikan Joe Biden është përpjekur ta shmangë prej muajsh.