Në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës dje u bë promovimi i librit “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912) të studiuesit Paulin Marku.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta në bazë të memorandumit të nënshkruar nga Muzeu Historik Kombëtar dhe Akademia e Studimeve Albanologjike.
Dokumentet diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve Dr. Paulin Marku i ka hulumtuar në Arkivin Historik Diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Në vëllimin e parë (janar-qershor 1912) janë përzgjedhur, përkthyer dhe përgatitur për botim, telegrame, relacione dhe informacione të ndryshme të diplomatëve italianë, në të cilat evidentohet qartë këndvështrimi dhe roli që pati Italia në çështjen shqiptare gjatë vitit 1912.
Këto dokumente hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, atë të pragut të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë/ATSH.