Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka folur për herë të parë në një për mediat në Kosovë pas ardhjes së tij për tema politike, të sigurisë por edhe për ato të ekonomisë.
Diplomati britanik ka folur edhe për bashkëpunimin Britani e Madhe e Kosovë dhe fushat ku mund të ketë fokus më të madh brenda këtij viti.
“Unë do të doja të shihja më shumë bashkëpunim ekonomik. Para se të vija këtu, takova disa njerëz të mirë në diasporën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe kompani, të cilët janë të përkushtuar të bëjnë biznes këtu”, ka deklaruar ambasadori britanik për Telegrafin.
Sipas tij ka shumë potencial dhe shumë vullnet të mirë dhe unë jam i përkushtuar të punoj me qeverinë dhe sektorin privat për ta shfrytëzuar atë maksimalisht.
“Ka potencial për investime të konsiderueshme – të mbështetura nga oferta e konsiderueshme e Financave të Eksportit të Mbretërisë së Bashkuar për rajonin – me Kosovën në pozitë të mirë për të qenë një qendër rajonale për disa sektorë. Unë e shoh këtë si një nga mënyrat më të mira për të thelluar dhe mbajtur marrëdhëniet midis vendeve tona në të ardhmen”, ka thënë mes tjerash ai.
Diplomati britanik ka thënë se prioritet tjetër I tij do të jenë gratë dhe vajzat.
“Unë kam takuar shumë gra frymëzuese këtu tashmë në një gamë të gjerë fushash. Por e di që ka potencial të madh për t’u zhvilluar, me vetëm rreth 20% të grave në tregun e punës. Ka qartësisht ambicie dhe një kornizë të mirë ligjore, por ka një rrugë të gjatë për të bërë dhe kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, nga krijimi i vendeve të punës dhe ofrimi i kujdesit për fëmijët, por edhe ndryshimi i pikëpamjeve edhe tek disa burra. Unë jam i etur të shoh se ku mund të punojnë më së miri Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova për këtë. Dhe në të njëjtën kohë dua të vazhdoj punën e gjatë të ambasadës për të mbrojtur të drejtat dhe kujdesin për të mbijetuarat e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, dhe të zgjeroj përkushtimin tonë për të trajtuar dhunën me bazë gjinore dhe për të ndihmuar që Kosova të bëhet një vend më i sigurt dhe më i lehtë për të qenë grua”, ka deklaruar ambasadori britanik Hargreaves.