Asambleja Parlamentare ka votuar PRO, Kosova drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, raporton Gazeta Express.
Paraprakisht, Asambleja i hodhi poshtë me rend amandamentet e propozuara nga Serbia.
Më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë disa amandamente tjera që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi ika plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.
Tani, fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.
Vjosa Osmani ka thënë se sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian.
Po ashtu ajo ka thënë se votimi i sotëm në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë.
“Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës PRO mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike!
Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!”, ka shkruar presidentja në rrjetin social Facebook.
Edhe kryeministri Albin Kurti thotë se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë.
Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!”
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka përshëndetur vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të KiE që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Begaj thotë se tashmë duhet të pritet hapi final në muajin maj, i cili shënon edhe momentin e merituar për të festuar.
“Përshëndes vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).
Falenderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Tashmë pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe mometin e merituar për të festuar”, shkruan Begaj.
Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Pro votuan 171 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan. Ndërkohë asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratuan.
Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.