Konservatorët në pushtet në Kroaci fituan më së shumti ulëse në zgjedhjet parlamentare të së mërkurës, por jo mjaftueshëm për ta formuar vetë kabinetin e ri qeveritar, sipas rezultateve zyrtare pothuajse të plota.
Unioni Demokratik Kroat (HDZ) i kryeministrit Andrej Plenkoviq ka fituar 60 ulëse në Kuvendin me 151 anëtarë, sipas rezultateve të më shumë se 90 për qind të vendvotimeve. Në zgjedhjet e kaluara, kjo parti kishte fituar 66 ulëse, raporton gazeta “The Guardian”.
Tani priten bisedime të vështira ditëve të ardhshme për formimin e koalicionit të ri qeveritar.
“HDZ-ja për herën e tretë radhazi i ka fituar në mënyrë bindëse zgjedhjet parlamentare” – u tha Plenkoviqi përkrahësve të tij në Zagreb të enjten herët.
Koalicioni i qendrës së majtë, i udhëhequr nga Partia Socialdemokrate, ka fituar 42 ulëse, ndërsa Lëvizja Atdheu, grup djathtist nacionalist, doli e treta me 14 ulëse.
Një parti ultra-konservatore ka fituar 11 ulëse, ndërsa një parti e gjelbër dhe majtiste 10 ulëse.
Plenkoviqi tha se përpjekjet për formimin e shumicës parlamentare do të fillojnë të enjten në mëngjes.