Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj nuk ka shqyrtuar fare anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse, sipas saj, kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kanë kërkuar anëtarësimin e vendit në këtë organizatë ndërkombëtare.
“Ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla në platformën sociale, Facebook.
Ky qëndrim, sipas Gërvallës, është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pasi Kosovës i është vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar.
Ndër të tjera Gërvalla ka potencuar se disa vende anëtare me mos-pranimin e Kosovës në KiE zgjodhën “t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës”.
“Duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”.
Kryediplomatja ndër të tjera ka njoftuar se propozimi i Kosovës për të përpiluar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për të dërguar atë deri në fund të muajit maj në Kushtetuese për shqyrtim pas këtij vendimi të KiE-së e ka humbur “aktualitetin dhe relevancën”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shtuar ajo.
Në fund Gërvalla ka vlerësuar se autoritetet kosovare nuk kanë lënë gur pa lëvizur për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë”.