Në një intervistë për televizionin RAI 3 kryeministrja, Giorgia Meloni, deklaroi se ngritja e qendrave të pritjes së emigrantëve në Shqipëri po ecën përpara. Po ashtu, Meloni vlerësoi homologun e saj Edi Rama dhe tha se ai është sulmuar për këtë marrëveshje padrejtësisht.
Projekti me Shqipërinë për ngritjen e qendrave të pritjes së refugjatëve po ecën përpara dhe po shërben si model edhe për shtete të tjera. Kështu deklaroi në një intervistë në televizionin RAI 3 kryeministrja italiane Giogria Meloni.
“Projekti me Shqipërinë po ecën përpara dhe do të jetë plotësisht funksional pas një kohe jo shumë të gjatë. Ky projekt dëshmon se ne po i bëjmë këto lëvizje për të mirën e vendit tonë. Mendoj se kemi të bëjmë me një projekt shumë strategjik. Të gjithë duhet të kuptojnë se nëse protokolli me Shqipërinë funksionon siç duhet, do të ndikonte pozitivisht në menaxhimin e duhur të refugjatëve të paligjshëm edhe në nivel europian”, tha Meloni.
Meloni është ndalur të flasë edhe për homologun e saj shqiptar, Edi Rama ku nuk i ka kursyer vlerësimet për të.
“Dua të falenderoj publikisht Edi Ramën sepse ai ka qenë objekt i çdo lloj sulmi, që kur vendosi që të nënshkruajë këtë protokoll me ne. Fakti që e majta këtu kërkonte përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Europiane që e quan Shqipërinë narko-shtet, fakti që atij i atribuojnë fjalë që nuk i ka thënë, është padrejtësi. Ajo që dëshiron të bëjë Edi Rama është që të ndihmojë Italinë”, tha ajo.
Projekti për ngritjen e qendrave të pritjes së refugjatëve në Gjadër dhe në Shëngjin pritet të nisë nga funksionimi në muajt në vijim, duke pritur në të refugjatët e shpëtuar në det nga policia italiane.