Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me rastin e zgjedhjes në këtë post.
“Kam besim të plotë se nën drejtimin tuaj të urtë, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, përparimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës si edhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj” shprehet Ruçi.
Në vlerësimin e tij për kreun e ri të legjislativit kosovar, Ruçi shënon se “Përvoja juaj e gjatë si deputet, kompetenca dhe përkushtimi me të cilin kini shërbyer si zëvendëskryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimi i gjatë në media si edhe në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut janë garanci se ju do t’i përmbushni me sukses të gjitha objektivat për rritjen e kontributit të Kuvendit si dega legjislative e qeverisjes në konsolidimin e institucioneve demokratike, mirëqeverisjen, integrimet euroatlantike, shtimin e njohjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin, stabilitetin, fqinjësinë dhe paqen në rajon”.
Ruçi ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë të zgjerojnë dhe të rritin bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës.
Për të diskutuar nga afër çështje konkrete të bashkëpunimin e ardhshëm mes dy vendeve Ruçi e ka ftuar Konjufcën për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të afërt./Tch/