Ende pa nisur mandatin qeverisës kryeministri i mandatuar i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickovski ka krijuar një sërë konfliktesh me fqinjët dhe shqiptarët në Maqeodninë e Veriut. Fillimisht ai refuzoi të zbatojë marrëveshjen me Bullgarinë për ndryshimin e Kushtetutës, më pas erdhi përplasja me Greqinë për shkak të emrit dhe kulmi u arrit me nominimin e të besuarit të Vuçiç dhe Putin si zv. kryeministër në Maqedoni të Veriut.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i kërkoi mandatarit dhe kryeministrit të ardhshëm Hristijan Mickoski, që ta respektojë Marrëveshjen e Prespës.
‘Shkupi duhet të kuptojë se nuk mund të luajë me Athinën për një çështje të tillë, sepse nëse vendi do të përpiqej për një emër të dyfishtë, çështja do të ishte mbyllur shumë vite më parë. Shkupi ka hyrë në NATO pikërisht përmes Marrëveshjes, e cila ka problemet e veta, por ka dhënë një emër për të gjithë dhe nëse kjo sfidohet, le ta dijë Maqedoninë e Veriut se do të ketë probleme të mëdha, jo vetëm në marrëdhëniet e saj bilaterale me Greqinë, por edhe në marrëdhëniet e saj si në NATO ashtu edhe me Bashkimin Evropian, në të cilin ka ambicie të bëhet anëtare në një moment’, tha Mitsotakis.
Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski është i gatshëm që në Samitin e ardhshëm të NATO-s, të përballet me kryeministrin grek Kiriakos Mitsotakis, por edhe me politikanët e BE-së për çështjen e emrit,
‘Nëse në Evropë ekzistojnë, por nuk besoj që ekzistojnë, politikanë evropianë që prezantohen si politikanë modernë dhe bashkëkohor në shekullin 21 kurse në vete kanë motive talibaneze dhe duan ta rrezikojnë të drejtën e njeriut që është e mbrojtur me shumë konventa ndërkombëtare, atëherë unë jam i gatshëm me ato njerëz të shkëmbej argumente dhe të debatoj. Nuk ka asnjë dilemë. Interesi im është të ndërtojmë ura dhe jo t’i shembim ato’, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickoski thotë se dëshiron të takojë ndërkombëtarët që para disa vitesh i kishin kërkuar të pajtohet për ndryshimin e emrit.
‘Mbaj mend se një pjesë e politikanëve që tani janë të zëshëm për Marrëveshjen e Prespës ishin ulur përballë meje para gjashtë vitesh dhe më thoshin ‘Hristijan, le të kalojë edhe kjo dhe për pesë ose gjashtë vite ju do të jeni pjesë e BE-së’. Do të doja tani t’i shikoj në sy dhe t’u them atë që kam për të thënë, se janë të pandershëm, se japin deklarata të rrejshme dhe e manipulojnë këtë popull të vogël por të vlefshëm në zemër të Ballkanit’, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.