Festivali “Mirëdita, dobar dan” është një ngjarje e përvitshme që është organizuar që nga viti 2014 me qëllim shfaqjet artistike, kulturore dhe avokimin dhe debatin publik në një platformë të vetme, e cila e bën këtë festival unik të këtij lloji.
Duke bërë bashkë artistë, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes si dhe opinion-bërës nga Kosova dhe Serbia, festivali pasuron perspektivat regjionale dhe nxitë bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes. Përveç prezentimit të skenës kulturore e artistike, pjesë thelbësore e festivalit është edhe programi i debateve publike.
Por këtë vit festivali që do të mbahej nga data 27 deri në datë 29 qershor është anuluar nga marshimi i një grupi huliganësh serbë, rreth 150 vetë që kanë dalë në protestë me thirrjet kundër shqiptarëve. Në pankartat e tyre ka pasur flamuj me imazhin e Car Llazarit, si dhe pankarta me mbishkrimin “Jo dorëzim” “Këtu shqiptari nuk do të ecë” dhe flamurin e Serbisë.
Protesta e huliganëve serbë ka gjetur mbështetjen e qeverisë së partisë së Vuçiçit. Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka bërë të ditur se MPB-ja ka lëshuar urdhër që të ndërpritet festivali“Mirdita, dobar dan”.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar urdhër për ndalimin e tubimit publik “Mirdita, ditë e mirë”, për shkak të rrezikut të rrezikimit të sigurisë së njerëzve dhe pasurisë, si dhe rrezikut të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më të mëdha.
Gjithashtu, nuk do të lejohen tubime të tjera në atë zonë. Për këtë urdhër janë njoftuar organizatorët e takimit”, tha ministri Daçiq.
Vendimi i Daçiçit u kundërshtua nga “Lëvizja e qytetarëve të lirë” që kërkoi tërheqjen e urdhrit të turpshëm për ndalimin e festivalit “Mirdita, dobar dan” dhe të mundësojnë mbajtjen e tij dhe garantimin e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve dhe vizitorëve.
“Liria e tubimit është e drejtë kushtetuese e të gjithë qytetarëve të Serbisë, dhe duke urdhëruar ndalimin e festivalit “Mirdita, dobar dan”, Ivica Daçiq, si përfaqësues i regjimit SNS-SPS, tregon se vendi radhitet me ekstremet. Nacionalistët që janë kundër pajtimit rajonal”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes së qytetarëve të lirë.
“Rreth një orë e gjysëm para anulimit të koncertit, rreth 150 huliganë, anëtarë të organizatave të ndryshme ekstremiste dhe sipas disa njohurive tona disa tifozë u grumbulluan për të ndaluar festivalin” – u shpreh Sofija Todoroviq për Danas nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, e cila është një nga organizatorët e festivalit.
Ajo tha se fansat kanë thënë se do të qëndrojnë aty për të penguar festivalin, ndërsa disa nga pjesëmarrësit e manifestimit “Mirdita, dobar dan” nuk arriën dot në destinacion, sepse nuk ka mjaftueshëm polici në terren.
“Nëse policia dhe ligjet e këtij vendi kontrollohen nga 150 huliganë të cilët kërcënojnë dhe shkruajnë mesazhet “Marshoni jashtë” dhe përpiqen ta paraqesin këtë si qëndrim të shumicës së Serbisë, mendoj se ky vend është i obliguar të mbrojë njerëzit, më në fund të qëndrojë në rrugë dhe në fakt të tregojë se nuk merr pjesë në krijimin e një shteti sipas të djathtëve, llumit dhe huliganëve” – tha Sofija Todoroviq.
Edicioni i sivjetshëm i festivalit “Mirdita, Dobar dan” duhet të niste sot me shfaqjen “Baba dhe Baba” në Doćol Platz.
Shfaqja është bazuar në tekstin e Jeton Nezirajt, me regji të Kushtrim Koliqit, dhe siç thuhet në ftesën për këtë manifestim, kjo shfaqje i dedikohet humbjes së më shumë se 1600 të pagjeturve pas luftës në Kosovë që përfundoi 25 vjet më parë.
Aktiviteti organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Integra nga Kosova dhe Iniciativat Qytetare.
Artistët dhe autorët kosovarë do të prezantohen para audiencës së Beogradit përmes koncerteve, ekspozitave, debateve, shfaqjeve dhe filmave.
Organizatorët njoftuan se festivali “përfaqëson një kombinim të bashkëpunimit kulturor dhe inicimit të çështjeve të rëndësishme politike që synojnë hapjen dhe paqen pozitive midis shoqërisë serbe dhe asaj kosovare”.
“Për shkak të fushatës së urrejtjes së nisur kundër festivalit, ju ftojmë të qëndroni me ne në solidaritet duke mbështetur qëllimet e festivalit dhe duke shijuar së bashku programin e tij”, thuhet në deklaratë.