Një bateri makinash elektrike e zhvilluar nga kompania britanike Nyobold duket se do të zgjidhë një prej “halleve” më të mëdha të përdoruesve të këtyre mjeteve. Në testin e saj të parë, bateria e re arriti të karikohej për vetëm 4 minuta e 37 sekonda nga 10% në 80%, një arritje kjo që do t’i japë fund pritjeve të gjata.
Testi u krye me një makinë sportive në një pistë në Bedford dhe është pjesë e përpjekjeve të gjithë industrisë për të karikuar më shpejt automjetet elektrike.
Për të krahasuar, momentalisht një superkarikues i Tesla mund të karikojë baterinë e makinës në 80% vetëm për 15-20 minuta.
Ekspertët thonë se eliminimi i të ashtuquajturit “ankthi i pritjes” është çelësi për rritjen e shitjeve të automjeteve elektrike.