Temperaturat shumë të larta dhe erërat e fuqishme kanë shkaktuar zjarre të reja në Victoria të Australisë, ku dhjetëra mijëra njerëz janë këshilluar që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut.
Shumë turistë i kanë marrë parasysh paralajmërimet për t’u larguar nga rajoni Gippsland, por disa të tjerë kanë vendosur të qëndrojnë. Kushtet e motit bënë që të fillojnë zjarre të reja dhe të përhapen edhe më shumë zjarret ekzistuese në pjesën juglindore të Australisë.
Ekipet e zjarrfikësve të katër rajoneve janë përgatitur për një ditë me shumë rreziqe nga zjarret. Më shumë se 100 zjarre po vazhdojnë të jenë aktive në tërë shtetin.
Paralajmërimet për rrezik të lartë nga zjarret janë lëshuar në Victoria, Australi Jugore, New South Wales dhe Tazmani.
Disa prej zjarreve më të mëdha janë duke u përhapur afër qytetit Sydney, ku më shumë se 250 mijë njerëz e kanë nënshkruar peticionin për ta anuluar hedhjen e fishekzjarrëve në natën e vitit të ri dhe të hollat të shpenzohen për t’i luftuar zjarret, shkruan “BBC”