Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të veçantë për të shënuar gjenocidin serb në Srebrenicë e që nisi me një minutë heshtje.
Më pas, me 84 vota “pro”, deputetët miratuan Deklaratën për mbështetjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ditën ndërkombëtare të reflektimit dhe përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
Në bazë të deklaratës Kuvendi solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, ndërsa kujtimi i Srebrenicës të shërbejë si një kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë kolektive për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.
“Gjenocidi në Srebrenicë është një nga momentet më të errëta të historisë sonë bashkëkohore. Mbi 8 mijë burra dhe djem të kombësisë boshnjake u vranë duke lënë pas një boshllëk që nuk mund ta plotësojmë kurrë. Vuajtjet e tyre na kujtojnë rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe mungesës së tolerancës si dhe përgjegjësisë sonë që ta ndërtojmë shoqërinë të bazuar në drejtësi për të vërteten dhe për pajtim,” thotë Emilia Rexhepi, zëvendëskryeministre e Kosovës.
Ndërsa, në një aktivitet tjetër, në ekspozitën “Reporting House”, nën kujdesin e kuratorit Gazmend Ejupiu shfaqen një palë syze dhe një orë e mësuesit boshnjak Reshat Fazliç, një nga viktimat e Srebrenicës.
“Nëse vini në Srebrenicë edhe rrini me nënat, gratë apo motrat e të gjithë viktimave të Srebrenicës gjithë çfarë do të dëgjoni është ofshamë e pikëllim, por asnjëra nuk kërkon hakmarrje. Gjeneratat po edukohen me tolerancë, gjë që vihet re edhe në Kosovë. Këtu po ekspozohen artefaktet e një mësuesi të pafajshëm, ai është dashur të vijojë të jap mësim në Srebrenicë por ne sot e kujtojmë përmes këtyre artefakteve,” Mensur Bektiç, përfaqësues i familjarëve boshnjakë të vrarë.
Qeveria e Kosovës të mërkurën shpalli 11 korrikun si Ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë, bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.