Një sherr banal mes dy të moshuarve përfundoi me një të vdekur në një azil privat në lagjen “Ali Demi” në Tiranë.
Policia njoftoi më herët se 78-vjeçari Zyhdi Shehu goditi me bastun në kokë Virxhil Veshon duke e lënë të vdekur në vend. Viktima, 82 vjeç dhe autori ishin konfliktua më herët për çështjen e krevatit.
Autori është një emër i njohur në qytetin e Kavajës. Shehi ka disa publikime në fushën e historisë, madje vitin e kaluar është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës.
Nga hetimet e para për krimin dhe dëshmitë, rezulton sesi viktima dhe autori, vuanin të dy nga skleroza, ndërsa sherri ndodhi për motive të dobta.
Kush është Zyhdi Shehi
Sipas biografisë së botuar edhe në rrjetin social Facebook, Zyhdi Shehi është diplomuar në Institutin Pedagogjik të Shkodrës për Gjuhë-Letërsi e më pas ka mbaruar me korespondencë edhe Fakultetin Filologjik të Tiranës, po për Gjuhë-Letërsi.
Pas një periudhe pune si mësues, në vitin 1982, nis punën në Muzeun Historik të Kavajës. Në vitin 1996, pas botimeve të artikujve të shumtë në fushën e historisë dhe etnografisë së zonës, del me librin e parë, monografinë kushtuar patriotit kavajas, Ahmet Bejtaga.
Më pas, në vitin 2000, monografinë Andrea Ekonomi, “Mësues i Popullit”, “Kavaja, figura të shquara historike” 2005, “Indrit Cara”, 2007, “Inxhinjeri Jani (Xhuf) Koljaka, e Diplomati Stavro Stavri”, etj. Për merita në punë i është dektretuar në vitin 1990 edhe medalja “Naim Frashëri”.