Nuk kanë të ndalur protestat në Venezuelë, kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale që shpallën edhe njëherë fitues presidentin Nicolas Maduro.
Rezultati u kundërshtua nga opozita dhe faktori ndërkombëtarë dhe që nga ajo ditë njerëzit kanë dalë në rrugë për të kërkuar largimin e Maduros, duke u përballur me policinë dhe ushtrinë.
Deri në këto momente raportohet për të paktën 1229 persona të arrestuar, një pjesë e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Janë rritur shqetësimet për fatin e deputetit të opozitës Américo De Grazia, për të cilin nuk ka asnjë lajm prej më shumë se 24 orësh.
Në daljen e tij të fundit në publik, në Karakas, Maduro vendosi të ndalojë përkohësisht përdorimin e rrjetit social X, i cili sipas tij po nxit një luftë civile mes venezuelianëve.
Megjithatë, ekspertët dhe opozitarët i frikësohen faktit se pas X shumë platforma të tjera apo rrjete ndërkombëtare lajmesh do të kenë të njëjtin fat, për të bllokuar fjalën e lirë.