Nga Agim Xhafka
Të fortët i krijojmë vetë. Në se ata kanë një shkop bejsbolli në dorë për të na rrahur ne ua dyfishojmë. Me qëndrimin tonë i bëjmë që në çdo dorë të mbajnë nga një shkop. Me heshtjen, me frikën, me nënshtrimin, me përuljen tonë.
Më ndodhi sot në Korçë,te bulevard “Republika”. Sa po kthehesha nga një shëtitje te Parku Rinia. Po i gëzohesha freskisë së motit, ajrit të pastër e qetësisë. Isha te trotuari përballë policisë e po shihja ku ishin vijat e bardha që të hidheshim matanë. Qenë pak më lart. U afrova atje dhe eca për matanë.
Kur isha në mes të vijave, pra në mes të bulevardit vjen nga poshtë një veturë me shpejtësi plumb. Normal që frenon, donte veten më shumë se unë. Ndalon gati te kërciri i këmbëve tona. Gruaja u lebetit. Unë gjithë inat e çudi me sytë nga drejtuesi i mjetit. Po ai në vend të një ndjese nisi t’i binte fort borijes.
Ec, më hap rrugën dmth.
Inati më përfshiu të gjithin. Ndenja atje pa lëviz as para as prapa. Ai sërish bories, por unë u ngurosa. Gruaja më lutej:
-Ec, se nuk dihet kush është ky. Ec se do hash ndonjë plumb. Ec, mos u bëj trim me këta!
Nuk doja t’i thoja që ne ishim mbi vija të bardha, që çdo makinë ndalon sa të kalojmë, që ne qemë në rregull, se…
Pas makinës me “trimin” u bë vargu i gjatë. Po unë hiç nuk bëja para, nuk hapja rrugë. Fat që u ndodha para policisë.
Fat që erdhi një polic korrekt. Siç duket mbase nga zyra e tij pa se ç’ndodhi e shkoi te makina që gati na shtypi. I mori patentën, lejen e qarkullimit dhe e urdhëroi që makinën ta parkonte te oborri i policisë.
Atë çast hapa rrugën.
U ndjeva mirë që për një herë të vetme nuk i hapa udhë të keqes, të fortit që na tmerron çdo ditë. Dhe gruaja më përkrahu se në trotuar, kur po shkonim drejt shtëpisë, më tha:
-Duhet qëndruar përballë banditëve, Gimo. Ndryshe…
Qesha dhe qesha me kunadhen time.