“Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë, njësoj si ai i check up-it, apo ai i laboratorëve, përbën një nga provat më flagrante të korrupsionit të qeverisë”, tha sot në një deklaratë për shtyp, ish-deputetja e PD-së Oriola Pampuri, ndërsa theksoi se PD do anulojë koncesionet në shëndetësi.
Sipas Pampurit koncesioni është vjedhje dhe i ka marrë buxhetit 5 milionë euro më shumë.
“Koncesioni i sterilizimit është vjedhje e hapur e një shërbimi që shteti mund ta kryente vetë me shumë më pak para. Që kur nisi nga funksionimi, ky koncesion 10-vjeçar i ka marrë buxhetit rreth 5 milionë euro më shumë. Edhe urdhri për të kryer më pak operacione nga Ministria e Shëndetësisë, me justifikimin banal dhe abuziv se janë shteruar fondet, është një tjetër rast i hapur abuziv për shpërdorimin e fondeve të shëndetësisë duke ua vënë ato në shërbim të PPP ve dhe koncesioneve. Kështu ulja e numrit të operacioneve bën që pacientët duhet të presin në radhë, gjë që agravon maksimalisht gjendjen e tyre”, shprehet ajo.
Po ashtu Pampuri thekson se “Partia Demokratike është e vendosur ta anulojë këtë koncesion”.