“Nëse Edi Rama fiton zgjedhjet në 2021 në mënyrë të ndershme, unë largohem nga politika”, tha sot Monika Kryemadhi, e ftuar në një studio televizive.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi duke folur për aksionin e opozitës tha se djegia e mandateve erdhi si rezultat i arrogancës dhe autoritetit të ekzagjeruar të mazhorancës në parlament, sikundër edhe ndaj heshtjes për votën e vjedhur që tregohet nga dosjet 184, 339.
“Ne kishim një mazhorancë e cila tregohej arrogante, kishte zaptuar gjithë procesin parlamentar dhe nuk lejonte ngritjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë, nuk lejon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, dhe ende s’e kemi kuorumin e duhur. Ky vit që lamë pas ishte një vit i mbrapshtë jo vetëm nga ana politike, por dhe nga ana ekonomike ishte shumë i rëndë. Kemi parasysh arsimin, bujqësinë që është në grahmat e fundit. 120 mijë shqiptarë të larguar dhe biznese që mbyllen”, tha ajo.
Kryemadhi theksoi se “çdo ditë e më shumë e vetmja mënyrë për të denoncuar dhe për të demaskuar qeverisjen e Ramës ishte djegia e mandateve”.
“Nëse nuk do të digjnim mandatet, nëse ne nuk do të bënim atë proces për bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, do vazhdonim të kishim si për zgjedhjet e 2017, një raport shkel e shko, që zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme”, tha ajo.
Në lidhje me largimin e qeverisë, Kryemadhi tha se në qoftë se Edi Rama i fiton zgjedhjet në mënyrë të ndershme, sigurisht që do të ikë.
Në lidhje me qëndrimin ndryshe nga PD për sa i përket Reformës Zgjedhore, Kryemadhi tha se “kemi qëndrim ndryshe për financimin e partive politike, pasi ne nuk jemi dakord që partitë të marrin para nga buxheti i shtetit”./ATSH/