Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka vdekur këtë të mërkurë. Sipas burimeve të A2 CNN, Bogdani ka pësuar infarkt dhe është transportuar me urgjencë për në Qendrën Spitalore Nënë Tereza Spital, por mjekët nuk kanë mundur të bëjnë gjë.
Kush ishte Gerti Bogdani?
I lindur në Tiranë më 1980 dhe i diplomuar në Universitetin Politeknik të Nju-Jorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bogdani nis angazhimin në politikë në vitin 2005.
Në vitin 2007, nis detyrën si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, detyrë që mbajti deri në vitin 2019. Po në vitin 2007 kandidoi në Zgjedhjet Vendore, duke u zgjedhur kryetar i Minibashkisë numër 10 në kryeqytet.
Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 2013 fiton një mandat të dytë si deputet i PD. Gjatë dy mandateve parlamentare shërben në komisionin e Integrimit Europian dhe në komisionin e Medias.
Bogdani ishte martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe është babai i Ajrës dhe Reinartit.