Shqipëria po përballet gjithnjë e më shumë me një realitet të ri në tregun e punës: largimin masiv të të rinjve dhe nevojën në rritje për fuqi punëtore nga jashtë.
Në një deklaratë për mediat, ambasadori i Indisë në Tiranë, Ravindra Prasad Jaiswal, e cilësoi Shqipërinë si një vend ideal për punëtorët indianë.
“India është një fuqi e madhe e punëtorëve të kualifikuar dhe një numër i madh indianësh punojnë në të gjitha pjesët e botës… Por në Shqipëri numrat janë shumë të ulët”, u shpreh ai.
Sipas tij, aktualisht në Shqipëri janë rreth 1200 punëtorë indianë, ndërsa numri pritet të rritet.
“Siç më është thënë, vitin e kaluar janë dhënë rreth 1,200 viza për punëtorë indianë… po ecim përpara, numrat po rriten dhe shpresoj që shumë më tepër do të vijnë në Shqipëri”, tha ambasadori.
Ai theksoi se po punohet me qeverinë shqiptare për një marrëveshje partneriteti që synon rritjen e migrimit të rregullt të fuqisë punëtore nga India drejt Shqipërisë.
“Pra jemi në drejtimin e duhur, po ecim përpara, numrat po rriten dhe shpresoj që shumë më tepër do të vijnë në Shqipëri. Po punojmë për një marrëveshje partneriteti me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të kemi një migrim të rregullt ose ardhje të rregullt të njerëzve nga India”, deklaroi ambasadori Indian.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Shqipëria po përjeton një boshllëk të ndjeshëm në tregun e punës, si pasojë e emigrimit të vazhdueshëm të të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

