Fjalën e tij të përnatshme nga ballkoni i shtëpisë, Sali Berisha ja kushtoi sërish Ervin Salianjit. Për kryetarin e PD-së, Edi Rama do një Shqipëri pa opozitë.
“Regjimi i Edi Ramës ka vendosur të rrëmbejë mandatin e 4-t për herë të parë në historinë e pluralizmit, duke burgosur, persekutuar drejtuesit e opozitës, sepse përndryshe Edi Rama dhe organizata kriminale që ai drejton e ka të qartë se nuk mund të marrë kurrë mandat të ri.”
Sipas Berishës, Rama burgos kundërshtarët politikë vetëm dy javë para çeljes së negociatave në BE.
“Edi Rama e dinte se ora e betejës vendimtare po afronte. E dinte se opozita kishte vendosur të ngrihej në një betejë vendimtare, në një betejë pa kthim, në një betejë të pandalshme për krijimin e qeverisë teknike, për zgjedhje të lira, rotacionin e pushtetit, fitoren e opozitës.”
Kreu demokrat u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestat që nisin më 6 Tetor dhe që Berisha i cilëson si fillimin e fitores së opozitës.