Bota
Akuza të rënda ndaj Frontex-it
Pas hetimeve të brendshme disamujore zyrtari përgjegjës për të drejtat e njeriut në Frontex hodhi akuza të rënda ndaj stafit të kësaj agjencie evropiane të kontrollit dhe monitorimit të kufijve, të cilët ishin vendosur në Mesdhe. Sipas raporteve, të shqyrtuara nga NDR dhe WDR, rojet kufitare kanë bërë gabime serioze në lidhje me kthimin e mundshëm të paligjshëm të emigrantëve përtej kufijve – nga kanë ardhur. Në dy raste, stafi ka shkelur rëndë detyrat, thuhet në raportet e hetimit.
Frontex – agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufijve tokësorë dhe detarë, njoftoi se aktualisht është duke i shqyrtuar në detaje rekomandimet e paraqitura në raportin e zyrtarëve të të drejtave të njeriut.
Akuzat për operacione të paligjshme “pushback”
NDR dhe WDR raportuan për herë të parë në pranverë se kishte pasur dy incidente në Detin Mesdhe dhe rishikuan rrjedhën e ngjarjeve. Sipas informacioneve të mbledhura, emigrantët u kthyen nga Greqia, domethënë nga ujërat territoriale të Bashkimit Evropian në ujërat turke – ndërsa Frontex dhe roja bregdetare greke ishin të pranishëm në këtë vend. Dyshohet se Frontex është përfshirë edhe një herë në të ashtuquajturat operacionet e paligjshme “pushback” (largimi me forcë).
Një ngjarje në veçanti ngre shqetësime: Sipas rishikimit të ngjarjes nga ekipi i gazetarëve të NDR dhe WDR, mëngjesin e 19 shkurtit 2024, rreth 30 persona, përfshirë burra, gra dhe fëmijë, ndodheshin në një gomone në ujërat greke. Pamjet me video tregojnë se ata kërkonin ndihmë, ndërsa të paktën dy anije të tjera janë afër. Një nga këto anije më të mëdha mban flamurin e rojes bregdetarebullgare, e cila monitoron kufijtë midis Greqisë dhe Turqisë, si pjesë e Frontex në Detin Egje. Megjithë kërkesat për ndihmë, Agjencia e BE-së për Mbikëqyrjen e Kufijve mesa duket qartë se nuk ka reaguar dhe nuk ka ndihmuar.
Akuza të rënda ndaj Frontex-it
Anijet e Frontex-it injorojnë kërkesat për ndihmë
Hetimi i Frontex-it konfirmon informacionin e NDR dhe WDR: Ishte një anije bullgare në misionin Frontex, e cila hasi në një gomone me emigrantë. Ekuipazhi, pavarësisht thirrjeve për ndihmë, thuhet se nuk u përgjigj. As stafi i Frontex-it nuk raportoi ndonjë incident me migrantë të rrezikuar në det të hapur. Raporti thekson se gjatë një hetimi të brendshëm, ekuipazhi bullgar i Frontex mohoi të ketë parë apo të ketë hasur në varkën e emigrantëve gjatë turnit të tij. Por hetuesit e brendshëm besojnë se ka prova, të cilat konfirmojnë se ekuipazhi i Frontex-it ka hasur emigrantë pranë ishullit Lesbos. Dhe ata vërejnë me shumë shqetësim, se raportet e ekuipazhit nuk ishin të plota.
Ministria e Brendshme bullgare nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me incidentin. Rojet bregdetare greke morën përsipër koordinimin e misionit, pasi operacioni i Frontex u zhvillua në ujërat territoriale greke. Roja Bregdetare Greke tha se oficerët e saj kishin shpëtuar shumë jetë të refugjatëve në të kaluarën dhe kishin vepruar në përputhje me ligjin dhe se hetimi mund të rihapet nëse do të dilnin informacione të reja.
Përdorimi i shkopinjve kundër refugjatëve në varka
Në një tjetër incident, hetuesit e brendshëm gjetën po ashtu gabime të qarta. Videoja tregon se si në fund të janarit 2024, një gomone e mbipopulluar me rreth 30 persona po lundronte në det. Në video shfaqet një skaf që i afrohet atij, i cili sipas shenjave mund të thuhet me siguri i përket rojes bregdetare greke. Personat e maskuar nuk nga skafi nuk kanë ndihmuar refugjatët, por mesa duket kanë kërcënuar me shkopinj. Një anije më e madhe e Frontex-it mund të shihet në sfond.
Hetimi tani konfirmon me “siguri” se varka e emigrantëve hyri në ujërat greke dhe u kap dy herë – një herë nga një anije Frontex pranë kufirit dhe herën e dytë nga roja bregdetare greke pranë ishullit Lesbos. Gjithashtu u konfirmua se skafi i rojes bregdetare greke me manovrat e tij në një distancë të shkurtër nga gomone ka krijuar dallgëzime, kështu që gomonja me emigrantët ka nisur të lëkundet dhe ka rrezikuar të përmbyset. Ekuipazhi grek i përdori shkopinjtë në një “mënyrë jashtëzakonisht të rrezikshme”. Siguria dhe jeta e emigrantëve u rrezikuan nga këto veprime.
Akuza të rënda ndaj Frontex-it
Kthimi i emigrantëve në Turqi, ku më pas u shpëtuan nga pjesëtarët e rojes bregdetare turke, nuk mund të konsiderohet plotësisht vullnetar, thuhet më tej në raport. Megjithatë, hetuesit nuk kanë mundur të përcaktojnë motivet e sakta, pse emigrantët e kanë kthyer varkën e tyre në drejtim të Turqisë. Si në incidentin e parë, edhe në të dytin raportet janë jo të plota dhe të pasakta të stafit të Frontex-it.
Operacionet e paligjshme “pushback” janë të vështira për t’u provuar
Rezultati i hetimeve tregon se provat konkrete të kthimeve të paligjshme dhe identifikimit të pjesëmarrësve janë pothuajse të pamundura të mblidhen, duke qenë se incidente të tilla shpesh ndodhin për orë të tëra në mes të detit të hapur. Edhe hetimi aktual nuk arriti të provojë operacione specifike të paligjshme “pushback”. Por hetuesit theksojnë se metodat e vëzhguara janë në përputhje me operacionet e mëparshme “pushback”.
Brenda BE-së, ka një debat të ashpër për mënyrën se si zbatohet mbrojtja e kufijve evropianë. Raporte të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë atë të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), kanë treguar vitet e fundit se në kufirin turko-grek janë kryer operacione të paligjshme “pushback”. Akuza të ngjashme ekzistojnë kundër Kroacisë dhe Polonisë. Disa javë më parë, Finlanda legalizoi operacionet “pushback” në nivel kombëtar, duke argumentuar se Rusia po dërgon qëllimisht azilkërkues në kufi për të kërcënuar sigurinë e vendeve fqinje.
Frontex duhet të sigurojë respektimin e të drejtave të njeriut
Operacionet e kthimit me forcë konsiderohen të paligjshme sipas rregullave të shumta ndërkombëtare, pasi veprime të tilla i pengojnë njerëzit të aplikojnë për azil dhe i detyrojnë ata të kalojnë sërish kufirin e jashtëm të BE-së dhe të kthehen atje nga kanë ardhur. Këto veprime janë në kundërshtim me mandatin e Frontex, i cili përfshin mbrojtjen e kufijve duke respektuar të drejtat themelore të njeriut. Sipas rregulloreve të brendshme, stafi i Frontex-it është i detyruar madje të “identifikojë në mënyrë proaktive personat dhe t’i informojë ata për të drejtat e tyre, nëse ata kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare”.
Drejtori i Frontex-it Hans Leijtens tani po përballet me presion serioz. Ai mori detyrën në fillim të vitit 2023, duke premtuar se Frontex nuk do të përfshihej më në operacione të paligjshme “pushback”. Në një intervistë me Reschke Fernsehen, Leijtens shpjegoi se kryerja e operacioneve është gjithmonë në duart e vendit pritës – në këtë rast, Greqisë. Megjithatë, në situata të dyshimta, ai pret që stafi i tij të paktën t’i raportojë atij për gjendjen dhe veprimet. Dhe pikërisht kjo, siç tregoi hetimi i zyrtarëve të të drejtave të njeriut, nuk është bërë në këto raste. Nuk kishte asnjë ndihmë për emigrantët – asnjë informacion apo raporte për këto zhvillime./DW
Bota
Përleshje vdekjeprurëse midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, ndërsa trazirat në Iran shtohen
Trazirat në rritje në Iran raportohet se kanë marrë më shumë jetë njerëzish në ditën e pestë të protestave kundër kostos në rritje të jetesës.
Si agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars, ashtu edhe grupi i të drejtave të njeriut, Hengaw, thanë se dy persona kishin vdekur gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në qytetin Lordegan, në Iranin jugperëndimor. Tre persona të tjerë u vranë në Azna dhe një tjetër në Kouhdasht, raportoi Fars, të gjithë në perëndim të vendit.
Të enjten, videot e postuara në mediat sociale treguan makina të djegura gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë.
Shumë protestues kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund sundimit të udhëheqësit suprem të vendit. Disa kanë bërë thirrje gjithashtu për një kthim në monarki.
Ndërsa dita kalonte, vinin më shumë raportime për trazira në të gjithë vendin, në ditën e pestë të protestave, të shkaktuara nga një rënie e monedhës.
Videot e verifikuara nga BBC Persian tregojnë protesta në qytetin qendror të Lordegan, kryeqytetin Teheran dhe Marvdasht në provincën jugore Fars që u zhvilluan të enjten.
Fars raportoi se në Lordegan u vranë dy persona, duke cituar një zyrtar të informuar. Raporti nuk specifikoi nëse të vrarët ishin protestues apo anëtarë të forcave të sigurisë. Gjithashtu raportoi tre vdekjet në Azna, në provincën fqinje Lorestan, pa specifikuar nëse kishte protestues apo zyrtarë të sigurisë.
Grupi i të drejtave të njeriut Hengaw tha se dy të vrarët në Lordegan ishin protestues, duke i identifikuar ata si Ahmad Jalil dhe Sajjad Valamanesh.
BBC Persian nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur vdekjet.
Mediat shtetërore thanë se një anëtar i forcave të sigurisë të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC) u vra në përleshjet me protestuesit të mërkurën në mbrëmje në qytetin Kouhdasht, në provincën perëndimore Lorestan.
BBC nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë këtë dhe protestuesit thonë se burri ishte një nga ata dhe u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë.
13 oficerë të tjerë policie dhe anëtarë të Basij u plagosën nga hedhja e gurëve në zonë, tha raporti i medias shtetërore.
Shkollat, universitetet dhe institucionet publike u mbyllën në të gjithë vendin të mërkurën, pasi autoritetet shpallën ditë pushimi bankar në një përpjekje të dukshme për të shuar trazirat.
Në dukje ishte për të kursyer energji për shkak të motit të ftohtë, megjithëse shumë iranianë e panë si një përpjekje për të frenuar protestat.
Ato filluan në Teheran – midis dyqanxhinjve të zemëruar nga një tjetër rënie e ndjeshme e vlerës së monedhës iraniane kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.
Deri të martën, studentët e universitetit ishin të përfshirë dhe protestat ishin përhapur në disa qytete, me njerëz që brohorisnin kundër sundimtarëve klerikë të vendit.
Protestat kanë qenë më të përhapurat që nga një kryengritje në vitin 2022 e shkaktuar nga vdekja gjatë paraburgimit e Mahsa Amini, një gruaje të re e cila u akuzua nga policia e moralit se nuk e mbante siç duhet vellon. Por ato nuk kanë qenë në të njëjtën shkallë.
Për të parandaluar çdo përshkallëzim, raportohet për masa të rrepta sigurie në zonat e Teheranit ku filluan demonstratat.
Presidenti Masoud Pezeshkian ka thënë se qeveria e tij do t’i dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve.
Por prokurori i përgjithshëm, Mohammad Movahedi-Azad, ka paralajmëruar gjithashtu se çdo përpjekje për të krijuar paqëndrueshmëri do të përballet me atë që ai e quajti një “përgjigje vendimtare”.
Bota
24 të vdekur nga një sulm me dron ukrainas, në Kherson
Të paktën 24 persona u vranë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën në një sulm me dron ukrainas në një hotel dhe kafene në Kherson gjatë festimeve të Vitit të Ri, tha Vladimir Saldo, guvernatori i emëruar nga Rusia i rajonit në jug të Ukrainës.
Në një postim në Telegram, Saldo sqaroi se sulmi ndodhi në Horli, një fshat bregdetar pranë gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar.
Bota
Kaos dhe dhunë në Holandë gjatë Vitit të Ri, viktima dhe të plagosur nga fishekzjarret
Policia holandeze njoftoi të enjten se gjatë festimeve të natës së Vitit të Ri është përballur me një valë dhune të paprecedentë. Oficerët e rendit u sulmuan me fishekzjarre dhe mjete shpërthyese, ndërsa incidente të shumta u regjistruan në qytete të ndryshme të vendit, duke përfshirë sulme ndaj policisë dhe zjarrfikësve.
Sipas BBC, në Amsterdam u përfshi nga flakët kisha historike Vondelkerk, e ndërtuar në vitin 1872 dhe e vendosur pranë parkut Vondelpark. Zjarri shpërtheu në orët e para të Vitit të Ri, duke shkaktuar shembjen e kullës 50 metra të lartë dhe dëmtime të rënda në çati. Autoritetet bëjnë të ditur se, megjithë dëmet, struktura e kishës pritet të mbetet e qëndrueshme.
Mediat lokale raportuan për dy viktima në Holandë si pasojë e incidenteve me fishekzjarre: një 17-vjeçar nga Nijmegen dhe një burrë 38-vjeçar nga Aalsmeer. Ndërkohë, në Rotterdam, spitali i specializuar për sëmundjet e syrit trajtoi 14 persona me lëndime të rënda okulare, mes tyre 10 të mitur, dhe dy pacientë iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale.

Ngjarje të rënda u shënuan edhe në Gjermani, ku policia e qytetit Bielefeld konfirmoi se dy të rinj 18-vjeçarë humbën jetën pasi përdorën fishekzjarre të prodhuara artizanalisht.
Në qytetin jugor holandez Breda, forcat e policisë u sulmuan me bomba benzine. Kryetarja e Unionit të Policisë, Nine Kooiman, deklaroi se edhe vetë është goditur me fishekzjarre dhe eksplozivë gjatë shërbimit në Amsterdam, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht të dhunshme dhe të paprecedentë.
Sipas Shoqatës Holandeze të Piroteknikës, shpenzimet për fishekzjarre këtë vit arritën në 129 milionë euro, shifër rekord. Autoritetet kanë bërë të ditur se ndalimi i fishekzjarreve jozyrtare pritet të hyjë në fuqi në vitin 2026.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
