Një sherr mes dy personave në Sarandë i ka marrë jetën një 65-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjashtë të qytetit bregdetar.
Sipas policisë, një 42-vjeçar me iniciale A.B. goditi me shishe qelqi 65-vjeçarin G.B. Për pasijë, ky i fundit ndërroi jetë në vendngjarje, në oborrin e banesës së tij.
Ndërkohë, autori i dyshuar është shoqëruar nga policia. Dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur kur goditi me shishe qelqi viktimën.
Grupi hetimor është duke hetuar shkaqet.
Njoftimi i Policisë Sarandë:
Sot, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi A. B., rreth 42 vjeç, ka goditur me shishe qelqi shtetasin G. B., rreth 65 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi G. B. ka ndërruar jetë në vendngjarje, në oborrin e banesës së tij.
Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, falë reagimit të shpejtë, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin A. B., i cili u shoqërua në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme hetimore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.