Ditën e sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë zhvilluar një takim me shefen e re të Diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Kallas ka ndarë fotografi nga takimi me dy liderët, përmes një postimi në rrjetin social ‘X’.
Krahas fotografive, Kallas ka shkruar se rruga e vetme për anëtarësimin në BE të Kosovës dhe Serbisë është normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit.
Ajo, duke e cilësuar sulmin në kanalin e Ibër Lepencit si terrorist, ka thënë se ka mirëpritur gatishmërinë e të dy vendeve për zbardhjen e ngjarjes.
Sipas Kallas, autorët e sulmit në komunën e Zubin Potokut duhet të shkojnë para drejtësisë.
“U takova me Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin sot. Rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve mes vendeve të tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit. E mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Kallas.