Koreja e Jugut ka shpallur ligjin e përgjithshëm ushtarak. Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në një fjalim të paparalajmëruar dhe të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, duke pretenduar se ai do të zhdukte “forcat anti-shtetërore pro-koreane të Veriut”. Kjo është hera e parë që nga viti 1980 që Koreja e Jugut shpall ligjin ushtarak.
“Po shpall ligjin ushtarak për të mbrojtur Republikën e lirë të Koresë nga kërcënimi i forcave komuniste të Koresë së Veriut, për të zhdukur forcat e neveritshme antishtetërore pro-koreane që po plaçkitin lirinë dhe lumturinë e popullit tonë dhe për të mbrojtur kushtetutën”, tha Yoon Suk Yeol, President i Koresë së Jugut.
Yoon nuk tha se çfarë masash specifike do të merreshin. Ai përmendi një mocion nga Partia Demokratike e opozitës, e cila ka shumicën në parlament, për të fajësuar prokurorët e lartë duke refuzuar propozimin e buxhetit të qeverisë,.
Yoon i etiketoi veprimet e opozitës si “sjellje të qarta antishtetërore që synojnë nxitjen e rebelimit”. Ai më tej pretendoi se këto akte kanë “paralizuar punët e shtetit dhe e kanë kthyer Asamblenë Kombëtare në një strofkë kriminelësh”.
“Përmes këtij ligji ushtarak, unë do të rindërtoj dhe mbroj Republikën e lirë të Koresë, e cila po bie në humnerën e rrënimit kombëtar të atyre që kryejnë aktivitete të mbrapshta”, tha Yoon Suk Yeol, President i Koresë së Jugut.
Menjëherë pas këtij vendimi monedha koreane ‘Ëon’ u ul ndjeshëm kundrejt dollarit amerikan. Një zyrtar i bankës qendrore tha se po përgatiten masa për të stabilizuar tregun nëse do të ishte e nevojshme, citon Reuters. Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar rreth këtij vendimi. Rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për ta mbrojtur atë kundër Veriut.