Një 42-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar. Gjithashtu 42-vjeçari shqiptar ishte dënuar nga drejtësia gjermane me 5 vjet e 11 muaj burg për vjedhjen e 17 banesave.
Siç raportohet policia është vënë në ndjekje të një automjeti ku ishin tre persona mes të cilëve edhe 42-vjeçari shqiptar.
Policia disa herë i bëri thirrje drejtuesit të automjetit të ndalonte, por ai shtoi shpejtësinë duke kryer lëvizje të rrezikshme përgjatë “Selice”. Megjithatë autoritetet kanë arritur të ndalojnë 42-vjeçarin, i cili kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë.
Fillimisht ai u shoqërua në kazermën e Lugos, ku pas verifikimit të shenjave të gishtave rezultoi se ndaj tij kishte një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga Gjermania.
Shqiptari është dërguar në burgun e Ravenës, në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor.
Ndërkohë brenda makinës së braktisur, policia gjeti një pincë hidraulike për shtrëngimin dhe prerjen e kangjellave, radio profesionale, kartëmonedha të shumta, duke përfshirë ato kineze dhe shqiptare, dhe një sërë gurësh të çmuar (rubellit dhe tanzanit) me një vlerë prej rreth 10,000 euro.