Nga Donika Gervalla/
Në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit 1999, Reçaku u shndërrua në dëshminë më të tmerrshme të barbarisë dhe mizorisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. 45 civilë të pafajshëm – burra, gra e të rinj të paarmatosur – u masakruan brutalisht nga forcat serbe. Gjaku i tyre njollosi jo vetëm tokën e Reçakut, por edhe ndërgjegjen e njerëzimit.
Masakra e Reçakut nuk është vetëm plagë e përjetshme në historinë tonë, por një thirrje e fortë për drejtësi, për të mos lejuar që krimet kundër njerëzimit të kalojnë në heshtje. Kjo ngjarje e tmerrshme tronditi botën, zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe mobilizoi botën demokratike që të vepronte për t’i dhënë fund gjenocidit dhe padrejtësive ndaj Kosovës.
Por sot, Aleksandar Vuçiqi, presidenti i Serbisë dhe ish-ministri i propagandës së Millosheviqit, ende lartëson kriminelët dhe mohon të vërtetën e përgjakshme të Reçakut, e përpiqet të manipulojë historinë, duke shpërfillur dhimbjen dhe sakrificën e një populli që luftoi për ekzistencë.
Në Reçak u shkrua me gjak dhe sakrificë një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë. Nga dhimbja e Reçakut nisi rruga jonë drejt lirisë, drejt ndërtimit të së ardhmes së Kosovës si një vend i lirë dhe i pavarur. Bota e pa dhe historia e dëshmoi – e vërteta dhe drejtësia dalin përherë fitimtare.
Kurrë nuk e harrojmë Reçakun – aty ku qytetarët tanë dëshmuan forcën e shpirtit dhe dinjitetin përballë padrejtësisë. Dhe çdo herë që ndodhem në tryezat ndërkombëtare, do vazhdoj të theksoj me zë të lartë, ballëhapur dhe me krenari, luftën e drejtë të qytetarëve tanë për liri, drejtësi e pavarësi.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve e martirëve të Reçakut!