Tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një shtëpi për të moshuarit në periferi të kryeqytetit serb.
Shtatë persona të tjerë u plagosën nga zjarri që shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit në Barajevë, një komunë në skajin jugor të Beogradit.
Policia nuk ka lëshuar menjëherë një deklaratë zyrtare, për ngjarjen që ndodhi në azilin ku qëndronin më shumë se 30 të moshuar dhe stafi që përkujdesej për ta.
Ministri i kujdesit social i qeverisë serbe Nemanja Starovic tha për mediat se paraprakisht dyshohet se një nga të moshuarit i ka vendosur flakën një dysheku, i cili më pas u përhap me shpejtësi.
Mësohet se mes viktimave është edhe vetë autori, i cili thuhet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë, raportohet se tre persona janë duke i nënshtruar kujdesit toksikologjik, ndërsa ende nuk dihet shkalla e lëndimeve të tyre.