Tri shtete ballkanike ndalojnë fluturimin e Lavrovit për në Beograd

 286 total views,  2 views today

Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që do të vizitonte të hënën Beogradin, raporton Danas.

Në të njëjtën kohë, zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se ky i fundit do të takohet të hënën në orën 10 me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko.

Siç ishte paralajmëruar më parë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka planifikuar të vizitonte Serbinë më 6 dhe 7 qershor.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiq deklaroi gjatë ditës së sotme se situata rreth mbërritjes së Lavrov në Beograd është “e komplikuar” dhe se Vuçiq po merret me logjistikën e udhëtimit të tij.

“Është vërtet e pabesueshme që situata në Evropë dhe në botë është e tillë që presidenti i një vendi duhet të merret me gjëra të tilla, siç është logjistika e udhëtimit të një ministri të jashtëm, që përcakton nëse ai do të vijë apo jo”, u shpreh Brnabiq.

Dy ditë më parë, Vuçiq , tha se vizita Lavrovit tashmë ishte planifikuar dhe se rezultati i vizitës ishte i pasigurt derisa të realizohet.

“Është e mundur që gjithçka të jetë mirë, dhe ka mundësi që të mos jetë. A është gjithçka e planifikuar, gjithçka është planifikuar”, u shpreh ai.

Ai shtoi se nuk e përjashton mundësinë që vizita e Lavrovit në Beograd, mund të rrezikojë vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz.