Trump 2, Shqipëria 0
Nëse i numërojmë avantazhet dhe disavantazhet që Shqipëria ka marrë nga Trump, mund të themi me logjikë naive se Trump na mori Zvernecin, Sazanin, ndërsa së fundmi u lajmerua mbyllja me urdhër ekzekutiv i Zërit të Amerikës.
Një dritare informacioni për Shqipërinë në vitet e largëta dhe të errëta të komunizmit. Një shpresë përtej oqeanit. Por po ashtu dhe një pikë referimi për mediat shqiptare pas viteve 90.
“Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe të vërtetës për qindra miliona anembanë globit, u mbyll sot në emër të reduktimit të burokracisë federale,” u shpreh sot figura legjendare e Zërit të Amerikës, Eles Biberaj.
Nga ana tjetër, vazhdojmë të dëgjojmë nga opozita shqiptare dhe lideri i saj, Berisha, që ardhja e Trump është shpresa e vetme për Shqipërinë.
Kjo ngjan më shumë si klithma e vuajtjes së antikomunistëve në kohën e sistemit Hoxha, ku shpresë jepte ardhja e Xhevded Mustafës nga Amerika për të rrëzuar monizmin në Shqipëri.
Me këdo që ka ardhur nga Amerika, si shqiptar apo i huaj, kryefjala ka qenë sa para paguhen për këto aventura.
Sa u pagua Xhevdeti në ato kohë?
Sa u pagua McGonigali?
Sa do paguhet LaCivita?
Nëse sot Amerika, me Presidentin e saj, ka hyrë në një formë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nëse do të ndikojë në ndryshime të mëdha, Shqipëria është në periferi të këtyre ndryshimeve dhe do të duhet kohë që këto ndryshime të marrin jetë në Shqipëri. Prandaj, opozita do duhej të ishte transparente në lidhje me McGonigalin e saj, LaCivita, të ishte transparente në marrëdhëniet që po ndërton me Amerikën dhe Evropën, në mënyrë që të jetë serioze në kërkimin e rotacionit në Shqipëri.
Nga Ervin Gjonaj