Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës ka kërkuar që të lëshohen fletarrestime ndërkombëtare, përmes INTEPOL-it, për presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe kryetarin e Kuvendit Popullor të këtij entiteti serb, Nenad Stevandiq për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjë Hercegovinës.
Si bazë për lëshimin e fletarrestimeve, Prokuroria e Bosnjës ka deklaruar se Dodik dhe Stevandiq, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në entitetin Republika Sërpska, duke shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnjë e Hercegovinës”.
Gjykata e Bosnjës ka deklaruar se Dodik aktualisht ndodhet në Izrael, ndërsa Stevandiq, duke shmangur kontrollet ligjore, është kthyer nga Serbia në Bosnjë më 18 mars. Dodik, Vishkoviq dhe Stevandiq janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues dhe ndaj tyre janë lëshuar fletarrestime qendrore brenda Bosnje e Hercegovinës. Çdo agjenci policore, nga 16 sa janë në Bosnjë e Hercegovinë, duhet t’i arrestojë ata.