Autoritetet gjermane thuhet se kanë identifikuar një aeroplan spiun rus në lindje të ishullit Rügen në Detin Baltik të enjten në mëngjes. Është tabloidi gjerman “Bild” që raporton se Qendra e Kombinuar e Operacionit Ajror të NATO-s vuri re “aktivitet në zonën e Kaliningradit” në orën 9:14 të mëngjesit. Vetëm 12 minuta më vonë, një alarm u ngrit në bazën ajrore Rostock-Laage .
Dy avionë Eurofighters kryen një ngritje alarmi për të kapur avionin e dyshuar rus, i cili ishte në rrugën e tij drejt hapësirës ajrore gjermane të NATO-s në atë moment. Në orën 9:45 të mëngjesit, pilotët gjermanë raportuan shfaqjen në radarë të avionit dhe në orën 9:49 patën edhe kontakt vizual.
Tani çështja është bërë edhe më e qartë. Avioni, i cili as nuk kishte ndezur transponderin e tij dhe që nuk iu përgjigj mesazheve me radios përbënte një kërcënim të konsiderueshëm për trafikun ajror civil. Ai ishte një aeroplan spiun rus i tipit Ilyushin Il-20M, me emrin e koduar të NATO-s, “Coot-A”.
Avionët luftarakë gjermanë e shoqëruan avionin rus të zbulimit në lindje të Rügen për disa kilometra dhe i bënë një foto në orën 9:56 të mëngjesit. Disa minuta më vonë, Ilyushin u kthye dhe fluturoi përsëri drejt zonës së Kaliningradit.
Avionët gjermanë Eurofighters e përfunduan misionin e tyre për llogari të NATO-s dhe më pas kryen një fluturim stërvitor mbi Detin Baltik. Sipas Bild, kjo nuk është hera e parë që një avion zbulues rus u afrohet brigjeve gjermane pa shkelur hapësirën ajrore gjermane dhe rrjedhimisht të NATO-s. Kjo ndodh “herë pas here”, sipas burimeve të Forcave Ajrore.