Aktivistët pro-palestinezë arritën që të hynin në një bazë të Forcës Ajrore Mbretërore të Britanisë së Madhe të premten në pjesën qendrore të Anglisë, duke dëmtuar dhe duke i spërkatur me ngjyrë të kuqe dy aeroplanë që përdoren për rimbushje dhe transportim.
Grupi “Palestine Action” tha se dy anëtarë të tij kishin hyrë në bazën “Brize Norton” në Oxfordshire, duke vendosur ngjyrë në motorët e aeroplanëve “Voyager” dhe i dëmtuan më tej me leva, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Pavarësisht se publikisht e dënon qeverinë izraelite, Britania vazhdon që të dërgojë ngarkesa ushtarake, të qarkullojë aeroplanë spiunë mbi Gaza dhe të rimbushë aeroplanë luftarakë amerikanë/izraelitë” – thuhet në një deklaratë të këtij grupi, ku u publikua edhe një video e incidentit në rrjetin X.
“Britania nuk është vetëm bashkëfajtore, ajo është pjesëmarrëse aktive në gjenocidin e Gazës dhe në krimet e luftës në mbarë Lindjen e Mesme” – thuhet më tej.
Duke shkruar gjithashtu në rrjetin X, kryeministri britanik, Keir Starmer, e dënoi aktin protestues, duke e quajtur “të turpshëm” e “vandalizëm”. Ministria e Mbrojtjes dhe policia po e hetojnë rastin.
“Forcat tona të Armatosura e përfaqësojnë më të mirën e Britanisë. Ato e vënë jetën e tyre në vijë për ne dhe shpalosja e detyrës, përkushtimit dhe sakrificës personale vetëmohuese janë frymëzim për të gjithë ne” – tha Ministria e Mbrojtjes.
“Palestine Action” është në mesin e grupeve që rregullisht i kanë vënë në shënjestër kompanitë e mbrojtjes dhe firma të tjera në Britani që janë të lidhura me Izraelin që nga fillimi i konfliktit në Gaza.
Grupi tha se hodhi ngjyrë edhe në pistë dhe la një flamur palestinez aty./Nacionale