Një qytet i tërë në Angli po vuan për shkak të… pulëbardhave! Më konkretisht, në Liskeard, postierët po detyrohen të ndryshojnë rrugën e tyre pasi bien viktimë e sulmeve nga… pulëbardhat.
Kjo rezulton në dërgesa që shpesh nuk vijnë në kohë. Pulëbardhat sulmojnë papritur postierët nga çatitë, të cilët janë të pushtuar nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Problemi me sulmet e pulëbardhave është bërë aq i rëndë saqë Posta Mbretërore i ka paralajmëruar banorët e Liskeard se mund të mos e marrin postën në kohë dhe ka sugjeruar mundësi alternative, të tilla si dorëzimi në një vendndodhje specifike larg foleve të pulëbardhave.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e qytetit përballen me këtë problem, me Postën Mbretërore që kërkoi falje vitin e kaluar për vonesat e shkaktuara nga pulëbardhat që folezojnë në qytet.
Banorët janë gjithashtu të shqetësuar se pulëbardhat po sulmojnë kujdestarët e të moshuarve, shpërndarësit e farmaceutikëve dhe vizitorët që tani po e kanë të vështirë të shkojnë në shtëpitë e tyre.
Sipas Shoqërisë Mbretërore për Mbrojtjen e Shpendëve, sezoni i folezimit për pulëbardhat zgjat nga prilli deri në korrik. Gjatë këtyre muajve, zogjtë bëhen jashtëzakonisht mbrojtës ndaj të vegjëlve të tyre dhe madje sulmojnë njerëzit që thjesht kalojnë pranë foleve të tyre.
Megjithatë, situata mbetet e vështirë nga ana ligjore, pasi pulëbardhat mbrohen me ligj dhe shkatërrimi i foleve konsiderohet vepër penale.