Ylli Manjani tha në emisionin Now në Euronews Albania se hetime tatimore ndaj Bankers ka pasur edhe në të shkuarën por nuk janë çuar deri në fund për arsye të ndryshme.
Ai risolli në vëmendje denoncimin e bërë vite më parë nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i cili pretendonte se ishte shantazhuar nga ambasadori amerikan i kohës Donald Lu për të pushuar hetimet ndaj Bankers.
“Ka edhe një gjë interesante Bankers, sherri për Bankers i ka ngrënë kokën Adriatik Llallës.
Në 2017 ai denoncoi një debat me Donald Lu që i kishte kërkuar të mbyllte hetimet që Prokuroria e Fierit se kanë interes SHBA.
Në ato vite përflitej se kishte interes të blinte aksione Soros”, tha Manjani.
Ai tha se shteti shqiptar duhet të merrte taksa për çdo fuçi naftë të nxjerrë nga Bankeres në Shqipëri gjë që nuk ka ndodhur.
Sipas Manjanit, nga Bankers ndër vite kanë përfituar shumë qeveri dhe qeveritarë, ndërkohë që një kompani që pretendonte se mbijetonte në kushtet e falimentit duhet të ishte mbyllur me kohë.
“Bankers ka qenë një lopë e mirë për t’u vjelë në të gjitha kuptimet, ka 20 vjet, Shqipëria pi qumështin e Bankers.
Në 20 vjet nga Bankers ka përfituar kush ka mundur, qeveri, qeveritarë. Gjithë Fieri ka ngrënë bukë aty sa për dijeni… për shkak të korrupsionit.
Sa herë ta shkundsh thesin e Bankers aq herë nxjerr krunde, një kompani që deklaron humbje në 20 vjet po ju them vetëm një ligj, ai i falimentit, asnjë kompani nuk mund të rezistojë në treg në kushte falimenti.
Vetëm ky ligj duhet ta kishte kapur vite me parë. Ka pasur hetime tatimore të vazhdueshme, kemi qenë edhe në Arbitarzh me Bankers ku ka fituar shteti shqiptar”, tha Manjani.