Në kuadër të aktiviteteve në shënim të Ditës Përkujtimore të Policëve të Rënë në Detyrë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bënë homazhe te varri i rreshterit policor, Heroit të Kosovës, Afrim Bujnaku, në fshatin Samadrexhë, në Vushtrri.
“Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës, por sot ai ka gradën Hero i Kosovës. Grada Hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës dhe një zyrtar i shtetit. Njëkohësisht është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Prandaj, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit, në nderim e në kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit”, u shpreh kryeministri Kurti.
Pas homazhe, ai së bashku me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe Drejtori i Policisë u mirëpritën nga familja Bunjaku në shtëpinë e tyre.
Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, në ballafaqim me grupet paramilitare dhe terroriste të Serbisë, në mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë, sigurisë dhe paqes.
Deklarimi i plotë e kryeministrit Kurti:
Lavdi Afrimit dhe gjithë policëve të rënë në detyrë!
26 korriku është Dita Përkujtimore e Policëve të Kosovës të Rënë në Detyrë. Pas nderimeve që bëmë te lapidari i përbashkët me emrat e 24 policëve që u vranë në Kosovën e pasluftës teksa i shërbenin kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, paqes, sigurisë, ligjit e rendit, ne erdhëm edhe te varri i Afrim Bunjakut, që të bëjmë homazhe, të takojmë familjen e tij, të këtij rreshteri, i cili ra heroikisht në Banjskë të Zveçanit. Pas dy muajve, bëhen dy vjet të rënies së tij heroike. E më pas do të shkojmë edhe te varri i Enver Zymerit, te vendi i rënies së tij, sepse të gjithë këta policë që ia kushtuan jetën e tyre shërbimit për Kosovë dhe qytetarët e saj dhe u sakrifikuan në mbrojtje të vendit tonë, të paqes së sigurisë, meritojnë gjithë respektin tonë dhe duhet t’i kujtojmë e t’i përkujtojmë vazhdimisht. Veçse sot është një ditë e veçantë për ta – 26 korriku, Dita Memoriale e Policëve të Rënë në Detyrë.
Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës, por sot ai ka gradën Hero i Kosovës. Grada Hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës dhe një zyrtar i shtetit. Njëkohësisht është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Prandaj, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit, në nderim e në kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit.