Peter Mandelson, ambasadori i Britanisë së Madhe në Uashington, ka propozuar që Super Bowl-i i parë jashtë Shteteve të Bashkuara të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Që kur mori detyrën në shkurt, Mandelson ka bërë një përpjekje të madhe për të bindur NFL-në që kjo ngjarje ikonike të zhvendosej “përtej Atlantikut”. “Kam bërë një fushatë të madhe për të parë Super Bowl-in e parë jashtë SHBA-së të zhvillohet në Britani,” tha ai gjatë një fjalimi në Chicago Council on Global Affairs, duke pyetur nëse ndodhej ndonjë punonjës i NFL-së në audiencë.
“E dua atë Super Bowl në Britani. Nuk më intereson se kur do të zhvillohet, por dua që të njoftohet ndërsa unë jam ambasador,” shtoi Mandelson, duke bërë audiencën të qeshë. “Ne e duam, e duam shumë.”
Edhe kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, kishte bërë thirrje vitin e kaluar që Super Bowl-i të zhvillohej në kryeqytetin britanik, për të forcuar statusin si “kryeqyteti sportiv i botës”. “Super Bowl-i është shumë i rëndësishëm për ne,” tha Khan. “Ne kemi disa ndeshje amerikane futbolli dhe duam që tifozët amerikanë në Evropë të vijnë në Londër për t’i ndjekur, jo thjesht të shkojnë në Amerikë.”
‘Tottenham Hotspur Stadium’ në Londër do të presë dy ndeshje NFL në tetor, por finalja e Super Bowl-it të vitit të ardhshëm do të zhvillohet në ‘Levi’s Stadium’, në Santa Clara, Kaliforni, më 8 shkurt. Që nga krijimi i tij në vitin 1967, Super Bowl-i nuk është zhvilluar kurrë jashtë SHBA-së.
Megjithatë, kjo nuk është e vetmja ngjarje sportive që politikanët britanikë dëshirojnë të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar. Eric Trump, djali i ish-presidentit Donald Trump, kishte sugjeruar që ‘Turnberry Golf Course’ në Skoci të presë Open Championship, por organizatorët e kanë konsideruar të vështirë për shkak të sfidave logjistike dhe përfitueshmërisë komerciale.