David Beckham ka shprehur dashurinë e tij për bletarinë me një postim të ëmbël në rrjete sociale këtë të shtunë, me rastin e Ditës Botërore të Bletës.
Ish-kapiteni i Anglisë, 50 vjeç, ka prej kohësh një pasion të veçantë për këto insekte, aq sa në vitin 2020 ngriti koshere në kopshtin e shtëpisë së tij dhe më pas nisi edhe biznesin e vet me produkte ushqimore të bazuara në mjaltë.
ADVERTISING
Në një video të publikuar në Instagram, Beckham shihej duke mbushur një kavanoz me mjaltë të freskët të prodhuar nga kosheret e tij, shkruan DailyMail.

Në kavanoz shkruhej “Golden Beez”, ndërsa ish-futbollisti promovoi edhe markën e tij “Bee Up”, e cila shitet në Target dhe ofron snacks të shëndetshëm për fëmijë.
“Këtë ditë festojmë bletët tona. Që nga kosherja ime e parë në 2020 deri te krijimi i biznesit tim me ushqime nga mjalti, kam mësuar shumë mbi përfitimet e jashtëzakonshme shëndetësore që sjellin bletët. Gëzuar Ditën Botërore të Bletës!”, shkroi Beckham.

Postimi u mirëprit nga ndjekësit, mes tyre edhe prezantuesi televiziv Matt Baker, i cili komentoi: “Duhet të të kemi patjetër në Countryfile”.
Megjithatë, entuziazmi i Beckham për këtë ditë të veçantë vjen në një kohë të vështirë për familjen e tij. Marrëdhëniet e tij me djalin e madh, Brooklyn, dhe nusen e këtij të fundit, Nicola Peltz, mbeten të tensionuara.

Brooklyn, 26 vjeç, dhe Nicola, 30 vjeç, organizuan më 2 gusht një ceremoni të dytë martesore në Westchester County, pranë familjes së saj – ku familja Beckham mungoi krejtësisht.
As David, as Victoria, as vëllezërit Romeo dhe Cruz, e as motra e vogël Harper nuk ishin të pranishëm. Po ashtu munguan edhe gjyshërit, kushërinjtë, hallat e xhaxhallarët, të cilët sipas raportimeve mësuan për martesën vetëm nga mediat online.

Burime të afërta me familjen kanë thënë për Daily Mail se Beckham-ët janë të shqetësuar se Nicola ka ndikim të tepërt mbi Brooklyn.
“Ata mendojnë se Nicola nuk është e lehtë, por është e qartë që nuk ka ndërmend të largohet. E do Brooklyn-in, por ai është gjithashtu shumë i dobishëm për të. Shumë miq të tij të vjetër, të cilët nuk i sheh më, besojnë se ai bën gjithçka që dëshiron Nicola. Për familjen Beckham, kjo është e vështirë për t’u parë”.
Ndërsa ceremonia e parë në vitin 2022 ishte një spektakël madhështor tre-ditor në Palm Beach, ku morën pjesë 500 të ftuar dhe familja Beckham ishte në qendër të festës, këtë herë panorama ishte krejt tjetër: asnjë prej tyre nuk u pa pranë Brooklyn-it.

Në vend të tyre, ishin të gjithë anëtarët e klanit Peltz, me prindërit e Nicole-s, Nelson (83) dhe Claudia (70), në rolet kryesore.
Madje, në fotot e fundit nga martesa, shihet se vendet e vëllezërve të Brooklyn-it si dëshmitarë i kanë marrë tashmë vëllezërit e Nicole-s. Ai është afruar veçanërisht me Diesel Peltz, i cili e kishte prezantuar fillimisht me bashkëshorten e tij.
Krahas ndryshimeve në raportet me familjen, Brooklyn ka lënë pas dore edhe shumë nga miqtë e tij të hershëm, gjë që pasqyrohet qartë në fotot e dasmës dhe në rrethin e tij shoqëror të tanishëm.